Në prag të Çmimit të Madh të Meksikës, Sebastian Vettel premton “luftë deri në kthesën e fundit” me Ferrarin e tij, në këtë Botëror të Formulës 1.
“Edhe pse nuk varet më asgjë prej nesh, do të luftojmë deri në fund me synimin për t’i fituar 3 garat e mbetura. Megjithatë, në përgjithësi ka qenë një sezon pozitiv. Askush nuk na priste të ishim kaq të fortë që nga fillimi, e që do të ishim të fortë deri në fund të sezonit. Kemi bërë një punë të madhe për të arritur deri në këto nivele”, thotë gjermani 4-herë kampion bote (me Red Bull) i Ferrarit.
Edhe pse shpresat për fitimin e Botërorit janë në fije të perit, pasi Hamilton është 66 pikë larg kur mbeten në diskutim edhe 75 pikë, Sebastian Vettel shfaqet i karikuar përpara garave të fundit, duke nisur nga ajo e së dielës në Meksikë.
“Nuk ka mbaruar ende asgjë, pavarësisht se tani nuk varet më nga ne”, shpjegon piloti gjatë konferencës për shtyp. “Por askush nuk na priste kaq të fortë. Keqardhje ndiej vetëm për faktin që në disa gare nuk kemi mundur të luftojmë me ta. Ishin pikërisht ato gara që bënë diferencën. Do të kërkojmë t’i fitojmë të gjitha garat e mbetura, por kemi treguar se kemi bërë një punë të madhe”, shton më tej gjermani.
Ndërkohë, në konferencë kanë folur edhe pilotë të tjerë, si Bottas i Mercedesit apo Verstappen i Red Bullit.
“Jam i bindur se do të kthehem në nivele të mira në këto gara të fundit”, thotë finlandezi i skuderisë gjermane, para Çmimit të Madh të Meksikës. Sa i përket titullit kampion për pilotë, ai është i bindur: Hamilton do ta fitojë që nga kjo e dielë.
“Pas pushimit të verës, Hamilton ka marrë maksimumin nga makina e tij. I meriton të gjitha këto rezultate, që nuk ia ka falur askush”, thotë Bottas. Mercedesi i tij, gjithsesi e ka fituar një trofe, atë të kampionit për konstruktorë.
“Jam krenar për titullin e fituar, është një ndjenjë e bukur fakti që jam pjesë e këtij projekti. Pavarësisht ndryshimit të rregullave jemi rikonfirmuar, e kjo tregon forcën reale të ekipit. Në këtë sport, gjithçka është çështje detajesh”, përfundon finlandezi i Mercedesit.
Ndërsa talenti i ri Verstappen nuk mundet të mos i rikthehet temës së penalizimit për atë parakalim që vlente vendin e tretë me Red Bullin, por që ia mohuan ta përjetonte, duke mbetur përfundimisht në vendin e katërt.
“Nuk kam ndryshuar aspak mendim. Mendoj të njëjtat gjëra si 4 ditë më parë. Bëra një garë argëtuese dhe me një hap të madh. Ne ishim konkurrues. Meritoja të ngjitesha në podium, por u ndëshkova, edhe pse nuk isha i vetmi që dola jashtë piste me të katërta rrotat. Nuk është aspak e vërtetë që sigurova avantazhe prej daljes. Sigurisht që jam i irrituar, ndoshta mund të kisha përdorur fjalë të tjea, por nuk doja të ofendoja askënd”, thotë Max Verstappen.
Top Channel