Spiropali: Prokuroria, dorë të lirë për të hetuar. Braimllari: PS theu besimin tek drejtësia

25/10/2017 21:45

Elisa Spiropali thotë se Partia Socialiste i ka shërbyer hetimit të Prokurorisë për çështjen “Tahiri”, duke i lënë dorë të lirë grupit hetimor që të ushtrojë detyrën e tij përmes kontrollit të banesës dhe sendeve personale të deputetit.

Duke folur në Top Story këtë të mërkurë, Spiropali thotë se ndryshe nga raste të ngjashme në të shkuarën, mazhoranca nuk e ka mbrojtur një deputet të saj të akuzuar nga prokurori. Ajo përmendi rastin e 21 Janarit dhe kërkesës së Prokurorisë për të ndaluar drejtuesit e Gardës.

“Ne nuk e strehuam Saimir Tahirin dhe ky standard ka ndryshuar tani. Ne nuk e fshehëm. Saimir Tahiri duhet të gjykohet dhe ne e kemi thënë, por nuk mund të linçohet”, thotë ajo.

Endrit Braimllari nga Lëvizja Socialiste për Integrim thotë se vota e mazhorancës këtë të mërkurë për të mos autorizuar Prokurorinë që të kufizojë lirinë e Saimir Tahirit theu besimin tek drejtësia dhe tek flamuri i saj, reforma në drejtësi.

“Është një votë që theu besimin tek drejtësia, sepse gjithë ajo zhurmë mediatike që u bë për reformën në drejtësi, e theu plotësisht sot”, u shpreh ai.

Sipas Braimllarit, mazhoranca po ushtron presion ndaj Prokurorisë.

“Kjo mazhoranca ka ditë të tëra që ushtron presion ndaj drejtësisë dhe prokurorisë, sepse është mazhorancë e lidhur me trafikun. Deputeti duhet të ketë imunitet për një sulm politik, por jo për një akuzë për trafik”, u shpreh ai.

Megjithatë, Spiropali deklaroi se vendimi i mazhorancës është kushtëzuar nga indiciet, sipas saj, që Saimir Tahiri mund të jetë pjesë e një sulmi politik.

Top Channel