Rama sulm gazetarëve; nervoz në Kuvend pas seancës “Tahiri”

25/10/2017 17:39

“Së pari turp për të gjithë ju dhe për të gjithë ata si ju që ende nuk e keni kuptuar se për çfarë bëhet fjalë dhe vazhdoni të torrollisni miletin me këto pyetje pa pikë sensi. E vërteta është që jeni pjesë e këtij problemi të madh. Ju thjesht përçoni akuzat si një tel bakri. S’mbani përgjegjësi për atë që përçoni.”

Nervozizmin në sallë nga braktisja e opozitës, përpara se Kryeministri të mbante fjalën, Edi Rama ia faturoi gazetarëve në fund të seancës. I pyetur nga mediat nëse për pafajësinë apo jo të Saimir Tahirit duhet të vendoste gjykata, Kryeministri i përgjigjet me këtë sulm ndaj gazetarëve…

“Para se të bësh një pyetje kaq pa vend shko e lexo dhe shko kupto se cili është roli I kuvendit. E kuptoni që pyetjet tuaja burojnë nga padituria, s’është ndonjë problem të jesh I paditur, se skeni për detyrë të dini gjëra që sjanë pjesë e formimit tuaj por duhet të lexoni se kjo nuk është shkencë. Gazetarja: Cfarë komenti keni për deklaratën e Bashës për dy deputetë tuajit që kanë ngrënë darka luksi? Rama: Jeni për të qarë hallin. Gazetar: ju ktheni përgjigje pyetjeve tona. Rama: “Është detyra ime tju përgjigjem si ma do…e bardha zemër. Ju skeni të drejtë të më kufizoni. Duhet të kuptoni se roli juaj nuk është për të amplifikuar thashethemet. Gazetari: “Pse zgjodhët të na ofendoni sot? Rama: “Spo ju ofendoj fare se ju ulni e ngrini këdo si ju teket dhe kujtoni se askush ska të drejtë tju thotë që jeni pjesë e një kazani të madh, pjesë e problemit të Shqipërisë. Ju duhet ti thërrisni mendjes të lexoni dhe të kuptoni, ju këtu dhe ata atje që ju paguajnë juve….z.Rama jeni për ndryshimin në kushtetutë për imunitetin? “Kjo është një pyetje idiote dhe përgjigja ime për këtë pyetje idiotë është që ne kemi kushtetutën tonë…

Në fund ndodhi ajo që nuk kish ndodhur asnjëherë më parë, të parët pas këtyre replikave që zgjatën për rreth 10 minuta, ishin gazetarët ata që vendosën të ndërprisnin komunikimin me Kryeministrin Rama.

Kryetarët e opozitës reaguan menjëherë për këtë situatë të krijuar me gazetarët. Lulzim Basha thotë se kryeministri Rama ka humbur çdolloj ekuilibri psiqik dhe njerëzor.

“Sulmi agresiv, banaliteti rrugaçëror dhe kërcënimet kundër gazetarëve faktojnë çekuilibrimin psiqik që ka Edi Rama kur nuk arrin ta fshehë të vërtetën tronditëse as nga vetja e tij. I marre peng nga Saimir Tahiri dhe i kthyer ne nje lolo nga kriminelët që i diktojnë vendim-marrjen politike, Edi Rama sot ka humbur çdo lloj ekulibri psiqik dhe njerëzor ndaj po ushtron dhunë verbale ndaj çdokujt që i duket se sfidon pushtetin e tij. Sulmi ndaj gazetarëve është dhunë jo vetëm ndaj tyre, por dhunë ndaj gjithë shoqërisë e cila pa gazetarinë dhe pa fjalën e lirë përfundon në errësirë dhe skllavëri”, deklaroi kreu i PD.

Për Bashën, përgjigjja më e mirë ndaj kësaj dhune është kurajo për të thënë të vërtetën. Në krah të medias u shfaq edhe kryetarja e LSI Kryemadhi, sipas së cilës pas akuzave ndaj prokurorisë, sot Kryeministri sulmoi në mënyrë të paprecedentë gazetarët.

“Nuk e kuptoj ku e gjen këtë guxim një kryeministër në largim, që ndoshta nën efektin e lëndëve narkotike shfryu dufin dhe frikën para punonjësve të medias. Ai u përpoq për ditë me rradhë të intimidonte punën e prokurorisë, sot bëri të njëjtën gjë me gazetarët dhe median që nuk i shërbejnë atij”, u shpreh Kryemadhi.

Top Channel