“Minjtë janë të mirë për metafora”, thuhet në fillim të një prej eseve satirike të autorit Karl Kraus. Edhe pse artistja austriake, Deborah Sengl nuk e citon këtë pasazh në projektin e saj, ajo paraqet një shfaqje të skicuar, që përbëhet nga 176 minj të balsamosur. 44 inskenimet tripërmasore sjellin veprën “Ditët e fundit të njerëzimit”.
“Kjo ekspozitë u krijua në kuadër të 100-vjetorit të Luftës së Parëe Botërore, në vitin 2014. Asokohe më ra në duar vepra e shkrimtarit aq të njohur për austriakët, Karl Kraus, dhe vendosa ta risjell në mënyrën time, sepse aktualiteti i saj më bindi. E përdor metaforën që prej 20 vitesh, kjo pasi jam kritike e madhe e shoqërisë. Minjtë e bardhë simbolizojne neutralitetin, sepse nuk ka njerëz të mirë apo të këqinj. Ka vetëm një mi të zi dhe ai është autori, që e sheh ekspozitën nga lart”, tha Deborah Sengl, artiste.
Deborah është diplomuar në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë. Si bijë e dy prindërve artistë, ndikimi i tyre duket qartë në veprën e saj.
“Unë dhe artistja kemi punuar për rreth një vit për të sjellë këtë ekspozitë, ku Deborah ka bashkuar elementë të historisë, letërsisë e artit kontemporan. Është një satirë e fuqishme kundër imoralitetit, dhunës dhe prishjes së familjes, përmes skenave të paraqitura nga minj të balsamosur”, tha Gunther Oberhollenzer, kurator.
Ky teatër kafshësh, i çelur këtë të mërkurë në Galerinë Kombëtare të Arteve, do të presë spektatorë deri më 25 nëntor.
Top Channel