Gjirokastër, bashkëshortët vriten për pronën

25/10/2017 08:28

Një konflikt pronësie mes kushërinjve përfundoi tragjikisht në qytetin e Gjirokastrës.

Burrë e grua, Aleks dhe Afërdita Kosta, 66 vjeç dhe 49 vjeç, u qëlluan për vdekje me breshëri kallashnikovi në shtëpinë e tyre. Ngjarja ndodhi rreth orës 7 e 30 minuta të mëngjesit të së mërkurës, në lagjen “Palorto”.

I plagosur rëndë mbeti edhe autori i krimit, Apostol Kosta, 73 vjeç, pasi tentoi të vetëvritej duke qëlluar veten me automatikun me të cilin qëlloi djalin e xhaxhait dhe bashkëshorten e tij. Prej 10 vitesh, të dy familjet ishin përfshirë në një proces gjyqësor për një sipërfaqe trualli në zonën ku banonin. Dyshohet se shkak për krimin është bërë një konflikt për riparimin e çatisë së një barake që ndodhej ngjitur me murin që ndante banesat e dy kushërinjve.

Në momentin e ngjarjes, në banesë ka qenë edhe djali 15-vjeçar i familjes, i cili për fat ju ka shpëtuar plumbave. Viktima Aleks Kosta njihej si muzikant në qytetin e Gjirokastrës, ndërsa bashkëshortja e tij Afërdita ishte me profesion mësuese.

Ndërkohë, autori i krimit, Apostol Kosta, i cili tentoi të vetëvritej ndodhet në gjendje të rëndë, ndaj është kërkuar transportimi i tij në drejtim të Tiranës për një mjekim më të specializuar.

Top Channel