Vetëm një tragjedi mund t’ia mohojë titullin këtë fundjavë britanikut Lewis Hamilton në Formulën 1, por titulli i katërt në mënyrë ironike mund të vijë në paraqitjen më të mirë të Ferrarit.
Skuadra e Mercedesit vuan shumë në pistën që pret garën meksikane, pasi sipas ekspertëve, natyra e makinës nuk jep maksimumin në Autodromin “Hermanos Rodríguez”.
Në pamje të parë, disa pjesë të cirkuitit – që përshkohen me shpejtësi maksimale dhe kthesat e shpejta që ngadalësojnë mjetet në maksimum, – janë një reminishencë e garës së Monzës, ku kampionët për konstruktorë në Formulën 1 dominuan.
Mexico City ka një lartësi 2.250 metra mbi nivelin e detit dhe oksigjeni i pakët, sipas ekspertëve sjell më pak forcë për disa makina, specifikisht për Mercedesin.
Kështu, inxhinierët e skuadrave duhet të mendojnë për një strategji të re në mbajtjen e makinës pranë asfaltit, siç ndodhi në Montecarlo, por edhe në Hungari. Në këto dy gara të kaluara në Formulën 1, Ferrari shkëlqeu dhe Mercedesi pati probleme.
“Kokëkuqja” vjen në ndalesën meksikane në një pozicion të sikletshëm, pasi pikërisht këtu, në kohën kur mund të bënte dëmin më të madh ndaj Hamiltonit, është thuajse pa shpresë në sfidën për të mbështetur Vettelin.
Britanikut i duhet të përfundojë të paktën në vendin e pestë në garën e Meksikës për të fituar titullin, edhe nëse Vettel fiton pikët maksimale.
Top Channel