Epoka e Marc Marquez në MotoGP

25/10/2017 13:29

Që nga debutimi në garën e Katarit, në vitin 2013, e deri te triumfi i së dielës në Phillip Island të Australisë kanë kaluar 4 vite e gjysmë, për një pilot që u rikonfurmua nga muaji në muaj si sensacion i MotoGP-së.

Në këtë periudhë kohore, Marc Marquez ka zhvilluar 88 Çmime të Mëdha dhe po projektohet pa shumë pengesa drejt titullit të katërt kampion bote.

Statistikat e mbledhura për pilotin iberik që prej vitit 2013 japin një panoramë mbresëlënëse, ndërsa duket qartë impakti i MotoGP-së dhe konkurrentëve, që prej zbarkimit të një talenti që “fluturon” mbi dy rrota.

Plot 35 fitore, 62 podiume dhe 44 “pole position” janë shifrat monstruoze dhe të nevojshme për ta quajtur këtë 5-vjeçar si “epokën e Marc Marquez”.

I vetmi që e ka rivalizuar në këto kohë është Jorge Lorenzo, me 21 fitore, 49 podiume dhe 14 “pole position”. Por kalimi i iberikut te skuadra e Ducatit dhe sezoni anonim i zhvilluar prej tij ndikuan në statistikat e gjysmëdekadës.

Përballë talentit të Marquez është dorëzuar edhe një veteran si Valentino Rossi. “Doktori” italian ka fituar 10 gara, por është ngjitur plot 50 herë në podiumin e më të mirëve. Më i dobët ka qenë rendimenti i pezarezit (provinca Pesaro) në provat kualifikuese, me vetëm 5 “pole position”, por ka edhe më keq. Dani Pedrosa, në një krahasim me shokun e tij në bokse ka 8 fitore, 40 podiume dhe 6 “pole position”.

Top Channel