Kosovë, zbatohet marrëveshja për gjykatat në Veriun e vendit

24/10/2017 20:19

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dekretoi të martën emërimin e 40 gjykatësve dhe 13 prokurorëve të rinj, që do të punojnë në institucionet e drejtësisë në Veriun e banuar me shumicë serbe.

Të gjithë ata morën pjesë në ceremoninë e betimit para presidentit, pas së cilës përmbushet edhe “Marrëveshja për drejtësinë” në veriun e Kosovës.

E arritur më 10 shkurt të vitit 2015, marrëveshja parashikonte eliminimin e gjykatave dhe prokurorive të kontrolluara nga Beogradi, si dhe integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Më 31 gusht, në takimin ndërmjet presidentit Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të ndërmjetësuar nga shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ishte vendosur që 17 tetori të shënonte hyrjen në fuqi të marrëveshjes, por zbatimi i saj u shty për disa ditë me kërkesë të Beogradit.

Pas ceremonisë së betimit, presidenti Thaçi përgëzoi prokurorët dhe gjykatësit e rinj, duke nënvizuar se emërimi i tyre pasqyron plotësisht natyrën shumetnike të Kosovës.

Zbatimi i marrëveshjes u mirëprit nga Bashkimi Europian, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në një komunikatë të zyrës së Federica Mogherinit thuhet se, “një gjyqësor i integruar, që përfaqëson të gjitha komunitetet në Kosovë, është thelbësor për të siguruar drejtësinë për të gjithë”.

Top Channel