Vizita e Rex Tillerson në Irak nuk rrodhi edhe aq qetë sa çdo të kishte dashur shefi i diplomacisë amerikane. Sekretari i Shtetit ndeshi në kundërshtinë e kryeministrit Haider al-Abadi, kur kritikoi rolin e forcave paraushtarake të mbrojtura nga Irani.
Tillerson kishte deklaruar më herët se, milicitë në fjalë duheshin shpërbërë, por al-Abadi nuk ishte aspak dakord e këmbënguli të tregonte se luftëtarët e tyre duhen konsideruar si shpresa e Irakut dhe mbarë rajonit.
Milicitë shiite kanë qenë në vijën e parë të luftës kunder ISIS-it, të mobilizuara kundër tij që në vitin 2014. Por, pas goditjeve të forta që kanë marrë ithtarët e Shtetit Islamik në Irak, Tillerson mendon se njësitet e njohura si “Hashd al-Shaabi” apo “Mobilizimi popullor”, tani duhet të shkojnë në shtëpi, sepse beteja kundër grupit ekstremist po i afrohet fundit.
Forcat paraushtarake iraniane i ndihmuan trupat e Bagdadit të merrnin së fundi qytetin e Kirkukut nga kurdët, e pikërisht kjo ishte çështja tjetër nevralgjike, në të cilën u fokusua biseda mes dy udhëheqësve. Kryediplomati amerikan i nxiti palët ta zgjidhin përmes dialogut ngërçin e krijuar.
“Jemi të shqetësuar, e madje edhe pak të trishtuar, nga mosmarrëveshjet e thella të kohëve të fundit mes qeverisë rajonale të Kurdistanit dhe Bagdadit zyrtar. Ne kemi miq si në Bagdad, ashtu dhe në Irbil, ndaj i inkurajojmë të dyja palët të zgjedhin rrugën e negociatave. Nëse do të angazhohen për një Irak të bashkuar, nëse do të respektojnë Kushtetutën e vendit, mendoj se dallimet do të sheshohen pa u shkelur të drejtat e askujt”, tha Tillerson.
Në Irak, Tillerson mbërriti pas një ndalese në Afganistan, ku u takua me presidentin Ashraf Ghani dhe shefin e ekzekutivit Abdullah Abdullah, për të diskutuar planin e ri të Shteteve të Bashkuara që synon fundin e konfliktit në këtë vend.
Top Channel