Ekspozita gjermane; Rosemarie Trockel tregon koleksionin e veçantë

24/10/2017 15:26

Figura amorfe, vizatime e video në një ekspozitë jo fort të zakontë prezantohen për publikun si pjesë e koleksionit të Rosemarie Trockel.

Mediume e materiale të ndryshme shprehin boshllëqet e errëta dhe pasigurinë përmes veprës së artistes gjermane.

“Kjo është e bukura e artit, të mos mund ta shohësh kuptimin e parë teksa sheh një vepër, por të shfletosh nën shtresa. Artistes i pëlqen ambiguiteti dhe nuk i pëlqen ta japë çdo gjë pastër e qartë. Nuk ka bardh apo zi për të, mirë apo keq. Mund të jenë të dyja njëkohësisht në një vepër, mund ta interpretosh si te duash”, shprehet An Paenhuysen, kuratore.

Fituese e Wolf Prize në vitin 2011, Rosemarie Trockel, lindur në Gjermani, prej shumë vitesh është pedagoge në Akademinë e Artit në Duseldorf.

Autore e Frankfurter Engel, njërit prej monumenteve më në zë në Frankfurt, Rosemarie ka bërë diferencën në artin gjerman, në një skenë artistike të dominuar nga meshkujt duke e nxitur atë të rebelohet kundër realitetit te viteve ‘80.

“Kjo është makineri për përpunimin e mermerit, që tashme ka dalë jashtë përdorimi me zhvillimin e teknologjisë. Rosemarie mori prej shoqeve të saj piktore flokë, të cilat i vendosi në penelat me të cilat ato pikturonin si një ironi kundrejt meshkujve. Edhe femrat munden të pikturojnë, ndaj ajo që ka dashur të thotë me këtë vepër është një parodi artistike për të thënë se nuk janë vetëm meshkujt gjenitë e pikturës”, u shpreh An Paenhuysen, kuratore.
Veprat e Rosemarie Trockel do të ekspozohen në GKA deri në datën 3 dhjetor.

Top Channel