Dortmundi përsërit ftesën për Usain Bolt

24/10/2017 17:43

Borussia e Dortmundit, sipas asaj që deklaron shefi ekzekutiv i klubit, Hans-Joachim Watzke, shpreson ende të ketë në seancat stërvitore të ekipit edhe yllin e sprintit, Usain Bolt.

Bolt u tërhoq nga garat e atletikës pas Botërorit të muajit gusht në Londër, pas një karriere që e pa atë të fitonte mes shumë sukseseve të tjera, medaljet e arta olimpike në 100 metra dhe 200 metra, për plot tri herë.

Dortmundi njoftoi në nëntor të vitit të kaluar se, 31-vjeçari mund t’i bashkohej stërvitjes së ekipit kur të donte, ndërsa duke folur gjatë së hënës për “Reviersport”, Watzke e ripërsëriti këtë ofertë.

“Kemi dhënë fjalën dhe nuk tërhiqemi. Do të takohem me shefin ekzekutiv të Pumës, Bjorn Gulden, këtë javë, e mes diskutimeve të tjera do të flasim edhe për Bolt”, tha Watzke.

Kompania e veshjeve sportive “Puma” është sponsor i klubit gjerman nga Dortmundi, por edhe e sprintierit më të famshëm xhamajkan, Usain Bolt.

I ftuar special në garën e Çmimit të Madh të Shteteve të Bashkuara, në Austin të Teksasit, Bolt tha se mezi priste të rifillonte një karrierë të dytë në futboll.

“Ata (Dortmundi) thonë se ftesa është gjithmonë e hapur. Tashmë më mbetetmua të shoh se kur do të rikuperohem nga dëmtimi, të rikthehem në formë të mirë dhe të shfrytëzoj këtë mundësi për stërvitje atje. Do të shoh se në çfarë niveli jam, për të vendosur më pas”, tha Bolt.

Top Channel