Vetëvendosja, humbësja e madhe; nuk fiton asnjë komunë. Rritet LDK dhe AAK

23/10/2017 19:50

Kosova votoi të dielën për kryetarët e Komunave, një votë e cila për shumëkënd ishte menduar si një vijim i votës së 11 qershorit.

Por rezultatet flasin ndryshe. Edhe pse pritshmëritë ishin të mëdha nga ana e tyre, Vetëvendosje nuk arriti të fitojë asnjë komunë në raundin e parë, e do të duhet të përballet në 7 komuna në balotazh. Por, për Visar Ymerin kjo është një fitore e Vetëvendosjes.

“Unë mendoj se Vetëvendosje ka dalë fituese në këto zgjedhje nëse e krahasojmë me zgjedhjet e 2013, kur ishte gara për zgjedhjet lokale. Nëse marrim zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale si dy dinamika të ndryshme, Vetëvendosje ka shënuar dyfishim në zgjedhjet lokale në krahasim me vitin 2013. Në atë kohë kishim vetëm 60 mijë vota, sot kemi 130 mijë. Në 2013 kishim vetëm një komunë ku ishim në balotazh dhe atë e fituam, që ishte Prishtina dhe tani jemi në shtatë komuna. Mendoj se në secilën prej tyre VV do të dalë fituese”, shprehet kreu i VV, Visar Ymeri.

Por megjithë fjalët e kryetarit, Vetëvendosje nuk është më parti e parë si në zgjedhjet e 11 qershorit, ajo tashmë renditet e treta. LDK është e para dhe PDK e Kadri Veselit radhitet në vend të dytë.

LDK pas rezultatit jo të mirë të 11 qershorit duket se është rikthyer në normalitet, ku ka arritur të fitojë 4 komuna dhe të shkojë në balotazh në 10 të tjera.

PDK nga ana tjetër ka arritur të fitojë direkt vetëm një komune dhe për 10 të tjera do të përballet sërish në raundin e dytë.

Me një rritje të lehtë është dhe AAK e Ramush Haradinajt, e cila ka triumfuar direkt në 2 komuna, ndërkohë që në balotazh do të duhet të diskutojë dhe 6 komuna të tjera.

Tashmë mbeten për t’u numëruar votat e emigrantëve, numri i të cilave nuk pritet të ndryshojë shumë në rezultatet përfundimtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA