Të mërkurën Kuvendi do të votojë dy raporte në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit, Saimir Tahiri.
Deputeti Blendi Çuçi konfirmoi në Top Story se grupi socialist do të dalë me kërkesën e tij, që i ndalon arrestimin Prokurorisë.
Çuçi thotë se kjo nuk pengon punën hetimore të prokurorëve.
“Ne do t’i propozojmë Kuvendit nesër që t’i japim çdo kërkesë Prokurorisë, me përjashtim arrestimin”, tha ai.
Por, Eduard Halimi nga Partia Demokratike përsëriti akuzat se, sipas tij, mazhoranca po pengon punën e Prokurorisë.
“Tahiri është në një pozitë të keqe dhe Rama në një pozitë tërësisht të vështirë për ta mbrojtur. Rama e di shumë mirë që janë të paktën 1800 faqe që provojnë dyshimin e arsyeshëm në hapësirë dhe kohë të përfshirjes së Tahirit. Deklaratat e Ramës shembin në themel shtetin ligjor”, deklaroi ai.
Sipas Halimit, as qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë të drejtë që të japin vlerësim mbi provat e prokurorisë.
“Kanë zero kompetencë ligjore për ta bërë këtë. Por, Rama ka frikë nga precedenti rumun dhe precedenti kroat”, u shpreh Halimi.
Top Channel