Grupi parlamentar i LSI ka vendosur të bojkotojë komisionet parlamentare, duke u shprehur për një front kombëtar kundër trafikut të drogës. Ishte vetë nënkryetari i kësaj partie, Luan Rama i cili bëri publik qëndrimet e grupit parlamentar. Më herët znj. Kryemadhi foli për një institucionalizim të opozitës.
“LSI mbështet qëndrimin e opozitës për të bojkotuar të gjithë praninë në komisionet parlamentare vetëm me një përjashtim, pasi nesër është parashikuar një mbledhje e komisionit të shëndetësisë., kryetari i komisionit Petrit Vasili do të marrë pjesë në këtë mbledhje”, bëri të ditur Luan Rama.
Ndërkaq, grupi ka vendosur të votojë pro kërkesës së Prokurorisë për Saimir Tahiri. Rama tha se dënon qartë sulmin politik ndaj organit të akuzës.
“Ne do të votojmë pro miratimit të kërkesës së prokurorisë për ti çelur rrugën çdo veprimi procedural që organi i akuzës e çmon se i shërben hetimit të paanshëm dhe shterues të çështjes ndaj të cilës ka filluar procedimi penal dhe zbardhjes së të vërtetës në lidhje me gjithë veprimtarinë e këtij grupi të strukturuar kriminal”, deklaroi Luan Rama.
Ai tha se nuk bëhet fjalë vetëm për një individ, referuar deputetit Saimir Tahiri, por bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal “që gjen tentakulat e veta dhe në përbërje të qeverisë”.
Top Channel