Cristiano Ronaldo u shpall futbollisti më i mirë i vitit nga FIFA në një mbrëmje gala në Londër që mblodhi bashkë personalitetet më të njohur të këtij sporti.
Portugezi u vlerësua për arritjet me Realin e Madridit, ndërsa mori në duar trofeun prestigjioz, nën buzëqeshjen e Lionel Messi dhe Neymar, dy finalistët e tjerë.
Zinedine Zidan u shpall trajneri më i mirë i vitit në një garë ku mundi Antonio Conten e Chelsea-t dhe Allegrin e Juventusit.
Zidan u bë trajneri i parë që drejton një klub në fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kampioneve, sukses që i dha edhe trofeun e FIFA-s. Pati vend për tu nderuar në podiume dhe Buffon. Italiani 39-vjeçar u shpall portieri më i mirë, duke marrë trofeun nga duart e legjendës Peter Schmeichel, ndërsa Lieke Martens u zgjodh futbollistja më e mirë, vlerësim për paraqitjen e Holandës në fitoren e Europianit.
Mes golave spektakolarë të vitit FIFA zgjodhi rrjetën e Olivier Giroud si perlën që impresionoi tifozët. Goditja me takë e sulmuesit francez në 1 janar të 2017 ndaj Cristal Palace, u vlerësua e denjë për Çmimin Pushkash.
Top Channel