Lufta ndaj kanabisit e krimit, Rama: FBI bën vettingun e policisë

22/10/2017 11:25

Vettingu në radhët e Policisë, me ndihmën e ekspertëve të FBI-së dhe atyre gjermanë, do të rikthejë besimin e cënuar të Policisë së Shtetit. Kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Xhafaj prezantuan me drejtues të policisë strategjinë për finalizimin e luftës ndaj krimit dhe kanabisit. Rama tha se do të shpërblehen edhe qytetarët që ndihmojnë në kapjen e kokave të krimit.

“Procesi i vettingut, para së gjithash të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë që punojnë me ndershmëri dhe devotshmëri në strukturat e Policisë së Shtetit. Ne do të mbështesim, promovojmë dhe punojmë fort me këtë grup profesionistësh dhe njerëzish me integritet, për të rikonfirmuar besimin e qytetarëve, i cili është lëkundur pas ngjarjeve të muajve të fundit”, tha Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm.

Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj u bënë me dije drejtuesve të Policisë së Shtetit se, me ardhjen e ekspertëve të FBI-së dhe atyre të qeverisë federale gjermane në fillim të nëntorit, asnjë punonjës apo drejtues i policisë, që nuk do të kalojë testet, nuk do të jetë më pjesë e uniformave blu.

Kreu i qeverisë kërkoi rezultate.

“Nuk kishte gjë më degraduese nga pikëpamja e perceptimit për Policinë e Shtetit, sesa ajo video që doli dhe u pa nga Elbasani. Nuk do të punojë asnjë punonjës policie që ka punuar të gjithë jetën në polici, e që ka pasuri të pajustifikueshme. S’ka si shpëton. Vettingu në Policinë e Shtetit është për të ndarë të njomët nga të thatët”, tha kryeministri Rama.

Ndërkohë që u fol për cënimin e besueshmërisë së qytetarëve ndaj policisë, kreu i qeverisë njoftoi një propozim që do t’i bëjë Këshillit të Ministrave. Sipas tij, shumë shpejt do të shpërblehet me parà, çdo qytetar që ndihmon në kapjen e kriminelëve.

“Kush e denoncon dhe mundëson duke denoncuar, kapjen e tij, ai do të paguhet. Në të gjithë territorin e Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Ndërkohë, pa praninë e medieve, kreu i qeverisë dhe ministri i Brendshëm, me drejtuesit e policisë diskutuan planin me 10 prioritete të finalizimit të luftës ndaj kanabisit, si dhe goditjen e krimit dhe aseteve të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA