Kosova voton në zgjedhjet lokale

22/10/2017 11:46

Në Kosovë po votohet që nga ora 7 e mëngjesit, në zgjedhjet lokale. Gara zgjedhore zhvillohet në 38 komuna, ku votohet për kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të Asambleve Komunale.

Të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 890 mijë qytetarë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar hapjen e 899 qendrave të votimit, me 2.505 vendvotime.

Për monitorimin e zgjedhjeve, KQZ-ja ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje.

Në këto zgjedhje marrin pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 nisma qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur, qoftë për kryetarë komune, apo për këshilltarë në Kuvendet Komunale.

KQZ-ja ka certifikuar 7.091 kandidatë, prej tyre 6.887 janë kandidatë për Asambletë Komunale, ndërkohë 204 kandidatë janë në garë për kryetarë komunash.

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë njoftuar se kanë marrë masat e duhura për organizimin e zgjedhjeve lokale.

“Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend, para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është parësore për Policinë e Kosovës”, ka thënë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Top Channel