Lulzim Basha reagoi menjëherë pas takimit të kryeministrit Rama me drejtuesit më të lartë të policisë, duke akuzuar kreun e qeverisë se, bashkë me ministrat e tij janë të zhytur në krim dhe të kapur nga krimi.
Basha thotë se e ka të qartë qëllimin e daljes së Ramës përpara drejtuesve të policisë, për t’i dhënë garanci publike kriminelëve se, pavarësisht ngjarjeve të fundit, ai e ka nën kontroll policinë; se Saimir Tahiri është i sigurtë; se interesat e krimit janë të mbrojtura e nuk do të preken.
Për kreun e opozitës, Edi Rama sot bëri të qartë se ka zgjedhur të sakrifikojë qeverisjen e vendit, integrimin europian të vendit dhe të ardhmen e vendit, për të mbrojtur krimin.
Deklaratës së Ramës, se do të vendosë shpërblime për kokën e kriminelëve në kërkim, Basha iu përgjigj me një pyetje: Sa do t’ia vërë çmimin kokës së vëllait të ministrit të Brendshëm, që kërkohet nga policitë e gjysmës së botës për trafik kokaine?
E vërteta për gjendjen e policisë, sipas Lulzim Bashës, lexohet në përgjimet e Antimafias italiane, ku shefat e policisë së Ramës janë hamej që ngarkojnë gomonet e drogës, që mjetet e policisë janë në dispozicion të trafikut dhe radarët ndizen e fiken me urdhër të trafikantëve.
Kreu i PD-së thotë se, sot drejtuesit më të lartë të policisë u detyruan të dëgjojnë çoroditjet e një njeriu që ka humbur çdo sens të realitetit dhe çdo kontroll të vetes.
Top Channel