Kukësi me ritëm kampioni, bind në Gjirokastër

21/10/2017 17:53

Kukësi vazhdon ritmin e suksesshëm të kampionatit dhe këtë herë skuadra e mundur nga ekipi i Milnkovicit 3-0 është ish-ekipi i tij Luftëtari.

Edhe pse në këtë ndeshje debutoi trajneri Hasan Lika në krye të gjirokastritëve, skuadra e tij nuk mundi të mbante ritmin e kampionëve që e dominuan ndeshjen.

Goli i parë erdhi në minutën e 19-të pas një gabimi të Beiqirit, i cili la lojën për një vërshëllimë bilbili të një tifozi jo të gjyqtarit. Bakaj përfitoi dhe shënoi golin e parë.

Ndërkohë që ishte po ai që nga pika e bardhë e penalltisë shënoi golin e  dytë pak minuta më pas. Për golin që vulosi takimin ka menduar lojtari nga Azerbajxhani Alijev në pjesën e dytë.

Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Laçi ka arritur të marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Lushnjës në ndeshjen e vlefshme për javën e 7 të Kategorisë Superiore.

Kurbinasit triumfuan 0-3 në një takim që pritej të ishte shumë më i vështirë për ta. Ndërkohë që në përfundim të takimit, trajneri lushnjarë Artan Bano deklaroi se do t’i paraqesë drejtuesve edhe dorëheqjen e tij.

Top Channel