Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka cilësuar si “një votë për narkoqeverinë” refuzimin e PS për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Tahiri.
“Sot mazhoranca votoi pro narkoqeverisjes. Për herë të parë ndër vite pengohet prokuroria të bëjë punën e saj, për të zbardhur një veprimtari kriminale shumë të rëndë, duke mos arrestuar të dyshuarin. Ajo bëhet bllok për të penguar në mënyrë flagrante prokurorinë dhe provat që ajo disponon”, ka thënë Kryemadhi.
Ajo ka akuzuar kryeministrin Rama për aplikimin e një drejtësie me dy standarde. “Një drejtësi për jeniçerrët e narkotrafikut dhe një tjetër për qytetarët e thjeshtë”, ka thënë Kryemadhi.
Sipas saj, Shqipëria mund të dalë nga kjo situatë vetëm me një vetting politik. “Pa një vetting në politikë nuk mund të ketë drejtësi për shqiptarët. Sot Edi Rama vërtetoi se është peng jo vetëm i bandave por dhe i bashkëpunëtorëve të tij. Zbardhja e kësaj ngjarjeje do të sillte në dritë fakte më të rënda për Edi Ramën dhe përfshirjen në narkotrafik”, ka vijuar Kryemadhi.
Numri një i LSI ka theksuar se, përfshirja e kryeministrit në narkotrafik kërcënon qytetarët më shumë se kurrë dhe i japin fund demokracisë dhe jetës parlamentare.
“Parlamenti dhe demokracia janë nën thundrën e narkoqeverisë në pushtet. Një njeri që nuk i heq privilegjin e imunitetit njeriut të tij nuk mund të bëjë drejtësi”, ka theksuar Kryemadhi.
Ajo ka shtuar se, përpara këtij grushti shteti ka vetëm një qëndrim, një front anti-qeveritar popullor.
Top Channel