Xhafaj: Politikanët të mos bëjnë policin

18/10/2017 10:25

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj foli në Konferencën Kombëtare kundër Trafikimit të Personave për politikanët që po luajnë rolin e prokurorit dhe të policit.

“Deklaratat publike adresohen për trafikun dhe trafikantët, emrat e të cilëve janë bërë temë e ditës më shumë se çdo gjë tjetër. Ndërkohë, që do të duhej të flisnim e të debatonim të gjithë së bashku para së gjithash për thelbin e problemit, për mënyrën se si do të përballemi me dukuri të tilla, që janë pa ngjyra e pa parti. Të flisnin shumë më pak disa nga politikanët tanë që janë vënë në rolin e prokurorit dhe policit. Luftën kundër trafikut e shohin si trafik karrikesh pushteti”, tha Xhafaj.

Ministri shtoi: “Të gjithë flasin për trafikun dhe trafikantët, por harrojnë të ngrenë zërin për gjyqtarët e prokurorët e korruptuar; flasin për trafikun dhe trafikantët, por pak për policët e ndershëm që punojnë me përkushtim për t’u përballur me trafikantët. Ndaj, shpreh mirënjohje për veprimtarët e shoqërisë civile që i janë përkushtuar kësaj kauze”.

Top Channel