“Vjeshta 2017”, dy të arrestuar në Durrës

18/10/2017 21:48

Gëzim Aleksi nga Shijaku dhe Dashamir Hersi nga Durrësi u arrestuan si të kërkuar ndërkombëtarisht për krime të kryera në Itali.

Ata u kapën gjatë operacionit të koduar “Vjeshtë 2017”. 41-vjeçari Aleksi dhe 48-vjeçari Hersi rezultojnë të dënuar në Itali.

Sipas policisë së Durrësit, për Gëzim Aleksin, Gjykata e Breshias ka lëshuar më 16 qershor të vitit 1998 një urdhër-arrest për vrasje, ndërsa për Dashamir Hersin, Gjykata e Peskarës ka lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.

Të dy këta shtetas ishin shpallur në kërkim nga Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës vetëm pak ditë më parë, përkatësisht më 12 dhe 17 tetor të këtij viti.

Gezim Aleksi, është një person me precedent penalë edhe në Shqipëri, ndërsa në Itali është i dënuar për vrasjen e bashkatdhetarit të tij Dorian Gjoni, më 8 nëntor të vitit 1997, në Bergamo, në një lokal të frekuentuar kryesisht nga emigrantët shqiptarë.

Nga organet kompetente italiane nuk qe bërë e mundur që të ndalohen e arrestohen menjëherë autorët e vrasjes së shtetasit shqiptar Gjoni.

I arrestuar për një tjetër vepër penale në Durrës, Gëzim Aleksi në bazë dhe të letërporosive me autoritetet italiane u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës me 18 vjet burg për vrasjen e Gjonit.

Top Channel