“Vdekja e Stalinit”, satira e re politike e regjisorit Armando Iannucci, kishte për temë qendrore abuzimin me pushtetin dhe nuk mund të ndodhte ndryshe.

Bazuar në ngjarje reale të Rusisë së asaj kohe, që shërbyen si frymëzim për romanin me të njëjtin titull, të përdorur nga Iannucci dhe David Schneider si bazë për skenarin e tyre, filmi i rrëfen publikut luftën e egër dyditore mes vartësve të diktatorit se kush do të zinte vendin e tij, duke detajuar manovrat e tyre të dëshpëruara për ta katapultuar veten në pozicionin më të lartë të shtetit e për t’u siguruar se rivalët do të hiqeshin qafe përpara se udhëheqësi i madh të vdiste.

“Është një gjendje e vërtetë histerie, që respekton thellësisht historinë”, tha aktorja Andrea Riseborough, e vendosur në rolin e vajzës së Stalinit, Svetlana.

Por bisedat për abuzim me pushtetin tërhoqën pashmangshmërisht edhe komente mbi atë që “Hollywood”-i duhet të bëjë në vazhdim, pas skandalit të Harvey Weinstein, të përjashtuar nga Akademia e Filmit dhe Shkencave pas akuzave për ngacmime seksuale.

“Mendoj se Hollywood duhet të fillojë e të vërë rregull. E gjithë kjo situatë të kujton pak a shumë mënyrën sesi Beria sillej me gratë. Janë kaq shumë lidhje, duket si një gjë e frikshme për të cilën koha nuk ekziston”, tha David Schneider, bashkëskenarist.

“New York Times” dhe “The New Yorker” kanë publikuar që të dyja akuza nga një numër i madh femrash, që morën guximin të tregojnë se producenti i famshëm i kishte ngacmuar seksualisht, ndërsa 3 thonë se janë përdhunuar. 65-vjeçari mohon kategorikisht të ketë kryer marrëdhënie jokonsensuale me ndonjërën prej tyre.

Premiera e filmit “Vdekja e Stalinit” ishte në Londër, ndërkohë që ai do të fillojë të shfaqet në kinema nga data 20 tetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA