Prezantohet drejtorja e re e Arkivit të Filmit

18/10/2017 04:15

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro prezantoi të mërkurën para punonjësve të Arkivës Qendrore të Filmit, drejtoren e re të këtij institucioni, fituese e konkursit të çelur nga Ministria e Kulturës pas dorëheqjes së ish-drejtueses Elvira Diamanti.

Për Kumbaron, së bashku me emërimin e Iris Elezit do të ndryshojë edhe fokusi i ministrisë për arkivin.

“Iris Elezi është një prej jush, nuk është dikush që po vjen krejt nga jashtë. Është dikush që vjen nga bota e filmit. Arkivi mbetet një institucion i rëndësishëm jo vetëm për kujtesën. Synimi ynë është që në kuadër të programit kombëtar “Edukimi përmes Artit”, Arkivi do të mbetet një institucion i rëndësishëm për të sotmen e të ardhmen. Jemi ne që duhet të bëhemi mjaftueshëm atraktivë, mjaftueshëm interesantë, mjaftueshëm provokues për të tërhequr grupmosha të ndryshme”, deklaroi ministrja Kumbaro.

“Shumica e kinematografisë shqiptare mbetet e panjohur për pjesën më të madhe të botës. Ama bota m’u duk pak më e vogël kur vjet Fondacioni Botëror i Kinemasë së Scorsezes u bë i vetëdijshëm të na kontaktonte, i shqetësuar dhe në unison në luftën tonë për të mbrojtur koleksionin e filmave shqiptarë kundër mykut, lagështisë, erës së uthullës. Ata janë të vetëdijshëm se çdo bobinë në Arkivin Shqiptar të Filmit mban në vetvete historinë e vendit tonë, por edhe të kulturës botërore që nuk mund të zëvendësohet”, deklaroi drejtorja e re Arkivit të Filmit, Iriz Elezi.

Regjisore e filmit “Bota” vlerësuar me një sërë çmimesh, Iris Elezi ka studiuar për disa vite teori dhe kritike filmi në Nju Jork, si edhe ka marrë pjesë në disa ëorkshope për kinematografinë në vende perëndimore.

Top Channel