Kryemadhi në Top Story: Ndërkombëtarët, dijeni për kanabisin

18/10/2017 02:44

Në Top Story, Monika Kryemadhi deklaroi se përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri kanë patur dijeni për kultivimin e kanabisit.

“Sigurisht që kishin. Në momentin që u prekën vendet e tyre, nisën të flasin. Ndërkombëtarët e kanë ditur që ne prodhojmë kanabis. I kanë përgjimet që në 2013. Në momentin që u rrezikojmë sigurinë kombëtare të sigurisë së tyre, ata nuk falin”, deklaroi ajo.

Sa i takon tryeza e organizuar ditën e mërkurë nga partitë opozitare, Kryemadhi thotë se është takimi i parë dhe se ka nevojë për takime të tjera për të rakorduar qëndrimet.

Megjithatë, duke folur në Top Story, Kryemadhi përjashtoi, të paktën për momentin protestat e opozitës si një mjet për të kërkuar largimin e Edi Ramës.

“Në radhë të parë ne kemi foltoren e Parlamentit. Numrat nuk i kemi, por mos harroni që opozita nuk është çështje numrash, është çështje morali. Ky është front kundër krimit, sepse ne kemi qëndrime të ndryshme politike, por sot emergjente është çështja e krimit. Do të rakordohemi me partnerët ndërkombëtarë, sepse ata kanë nevojë për partnerë seriozë dhe të qartë në politikë”, deklaroi ajo.

Sipas Kryemadhit, të gjitha partitë opozitare, pavarësisht ndasive sa u takon programit dhe qëndrimeve për çështje të ndryshme, bien dakord se “situata në Shqipëri është shumë e rëndë”.

“Ky ishte takimi i parë për të krijuar axhendë dhe do të bëhet një matricë e aktiviteteve dhe takimeve. Qëllimi është të krijohet një strategji”, thotë Kryemadhi, duke shtuar se “moralisht Kryeministri ka rënë”.

Top Channel