Verërat boliviane po fitojnë vëmendje gjithmonë e më të madhe nëpër botë falë një metode të lashtë mbjelljeje të vreshtave dhe luhatjes së fortë të temperaturave.
Mjeshtri holandez i verës, Cees Van Casteren shpjegon se rreth 5 millionë shishe të cilësisë së lartë të prodhuara në këtë vend vijnë nga vreshta të mbjella me teknikën e përdorur nga spanjollët në kohën e Mesjetës, të cilën ata e patën çuar në Bolivi.
Lartësia e pllajave të saj dhe ndryshimet e ndjeshme të termometrit i sjellin verës boliviane një aciditet dhe freski unike.
“Diferenca e temperaturave është e jashtëzakonshme. Ditën mund të shkojë në 25 deri në 30 gradë celsius dhe natën vetëm 5 gradë. Çfarë bën kjo? Epo i jep verës një lloj freskie karakteristike dhe këtë e kanë të gjitha verërat boliviane”, thotë eksperti i verës, Cees Van Casteren.
Por ky nuk është tipari i vetëm që i bën këto verëra kaq të veçanta.
“Pas gati 5 vjet kërkimesh mbi verëra të prodhuara nga varietete të ndryshme rrushi lokal, zbuluam se verërat boliviane, krahasuar me ato të përftuara nga rrushi i vreshtave në nivelin e detit, siç janë francezët, spanjollët, apo dhe kilianët ose argjentinasit, kanë një përqëndrim më të lartë të resveratrolit, një antioksidant i fuqishëm që tek rrushi gjendet me shumicë. Tek këto lloj verërash, niveli i tij mund të jetë 3, 7 apo edhe 10 herë më i lartë se ai i gjendur tek verërat e huaja”, shprehet kimisti Marco Taquichiri.
Shumica e prodhimit realizohet në jug të Bolivisë, në Tarija. Shpresat e vendasve janë që kjo zonë të arrijë një ditë famën e Luginës Kaliforniane të Napas, apo Sonomes, të njohura për verërat e tyre mjaft cilësore.
Top Channel