Thaçi: BE diskriminuese dhe me qasje të turpshme ndaj Kosovës

17/10/2017 10:00

Bashkimi Europian ka vendosur si kusht ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi për liberalizimin e vizave më Kosovën, por Hashim Thaçi shprehet skeptik nëse lëvizja e lirë për kosovarët do të realizohet edhe nëse kalon marrëveshja e vijës kufitare me Podgoricën.

“Edhe nëse do të ratifikojmë demarkacionin në Kuvend, sërish do të kemi sfida me këtë përbërje të Komisionit Europian, sepse nuk e ka fokusin tek Kosova”, thotë Thaçi.

Në një intervistë dhënë për DW, Presidenti i Kosovës akuzoi Bashkimin Europian për qasje diskriminuese dhe të turpshme ndaj Kosovës.

“Aktualisht BE ka një qasje diskriminuese në raport me qytetarët e Kosovës, ndaj kemi kërkuar që kjo qasje të ndryshojë. Qëndrimi i BE është një pozicion absurd dhe i turpshëm në raport me qytetarët e Kosovës dhe institucionet e Kosovës. Ne kërkojmë të trajtohemi në mënyrë të barabartë me vendet e tjera të rajonit dhe jo të dublifikohen kriteret”, thotë ai.

Thaçi thotë se është i vetëdijshëm se pa kalimin e demarkacionit nuk ka liberalizim, por sërish e quan këtë kusht të vendosur nga Brukseli si të padrejtë.

“Është vendosur pa të drejtë dhe në mënyrë të befasishme nga Komisioni Europian dhe më shumë sesa kriter, ka qenë kurth politik i KE për Kosovën në mënyrë që të shtyjë edhe më tutje liberalizimin e vizave”, deklaron ai.

Presidenti Thaçi foli edhe për vizitën e tij në Vatikan dhe Uashington. Në SHBA ai u takua me zv.Presidentin Mike Pence, i cili, sipas Thaçit ka shprehur gatishmërinë e SHBA për t’u përfshirë në dialogun me Serbinë.

“Kam theksuar nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe zëvendëspresidenti Mike Pence konfirmoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për ta bërë këtë”, deklaroi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA