Teksa anëtarët e LSI dhe të PD në komisionin e Integrimit do të kërkojnë nga Kuvendi të marrë masat për ministrin Bushati, pas sherrit të ndodhur këtë të martë, janë socialistët ata që nëpërmjet një letre i kërkojnë Byrosë së Kuvendit të rishohë rregullin dhe sjelljen e këtij institucioni.
“Duke qenë se Rregullorja e Kuvendit, ka boshllëk normativ në kreun “Rregulli dhe sjellja në Kuvend” dhe nuk parashikon rregulla sjelljeje të posaçme gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve parlamentare, kërkojmë nga organet përgjegjëse të Kuvendit të marrin masa për të plotësuar sa më parë boshllëkun që ekziston për këtë çështje”, kërkohet në kërkesën që i është dërguar z. Ruçi.
Në letrën që mban firmën e tetë deputetëve socialistë të komisionit shpjegohet dhe incidenti i ndodhur në këtë mbledhje, ku shprehen se: “Kryetari i komisionit të Integrimit Evropian, në kapërcim të kompetencave që i jep Rregullorja e Kuvendit, për drejtimin dhe moderimin e mbledhjes së komisionit, shpërdoroi vullnetin dhe besimin e mazhorancës dhe të ministrit për t’iu përgjigjur me detaje pyetjeve për procesin e integrimit evropian”.
“Ne, anëtarët e mazhorancës në komisionin e Integrimit evropian, dënojmë përdorimin e gjuhës së papërshtatshme, joparlamentare dhe ofenduese ndaj cilitdo, qoftë anëtar i komisionit apo i ftuar, që shpërdoron detyrën dhe përpiqet të dëmtojë veprimtarinë e Kuvendit në komisione apo seancë plenare”, vijon letra.
Top Channel