Samiti i Shkupit, Rama takon Zaevin: Mbledhje e dy qeverive

17/10/2017 15:16

Shefi i qeverisë shqiptare u prit në Shkup nga homologu i tij maqedonas. Zoran Zaev dhe Edi Rama biseduan për t’i dhënë një shtysë marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, duke rakorduar për një mbledhje të përbashkët të qeverive.

Ata u takuan pak para zhvillimit të samitit rajonal me 100 udhëheqës në biznes nga Europa Juglindore. Rama ishte në të njëjtën linjë, kur i kërkoi samitit ndryshimin e komunikimit mes vendeve.

“Ekziston një hendek midis asaj që njerëzit mendonin dhe prisnin, kur për herë të parë u takuam në Berlin e startuam ‘Procesin e Berlinit’ me bekimin e Kancelares Merkel, por në të njëjtën kohë ka pasur progres të rëndësishëm. Një prej pikave më të rëndësishme për të nënvizuar është pikërisht ky planveprimi, i aprovuar dhe që përmban 120 masa, që çdo vend duhet të zbatojë për të ndryshuar tërësisht mënyrën sesi komunikojmë me njëri-tjetrin, në termat e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Kjo sepse, ndërkohë që të gjithë po përpiqemi të integrohemi në BE, në rajonin tonë ka shumë potenciale të rëndësishme të pashfrytëzuara, për shkak të kaq shumë pengesave, kaq shumë barrierave jotarifore dhe…edhe për shkak të kohës së humbur në të shkuarën”, tha kryeministri Rama.

Kryeministri Rama kërkoi eliminim të barrierave ekonomike dhe rritje të shkëmbimeve tregtare mes vendeve të rajonit.

“Është e pabesueshme të mendosh se, sipas llogaritjeve të Bankës Botërore janë 3.800 vite pritjeje në kufijtë e vendeve tanë. Njerëz që presin dhe mallra që presin. Pra, 3.800 vite pritje janë një luks që vetëm Ballkani mund t’ia lejojë vetes, por jo Ballkani i së nesërmes, Ballkani i së kaluarës. Ndaj, në këtë boshllëk mes së kaluarës dhe së ardhmes na duhet të luftojmë shumë, që të mos lejojmë më që njerëzit dhe mallrat të presin, e të hapim këtë hapësirë të madhe për bashkëpunim dhe tregti”, shtoi më tej kreu i ekzekutivit shqiptar.

Kryeministri shqiptar inkurajoi bashkëpunim të ngushte mes vendeve.

“Shqipëria është ende një destinacion i pazbuluar plotësisht. Po përballemi me një periudhë, ku interesi për Shqipërinë po rritet. Gjithnjë e më shumë njerëz po vijnë nga Maqedonia, shumë nga Bosnja, shumë e më shumë nga Serbia, pa përmendur shqiptarët nga Kosova, nga ku janë të shumtë ata që vizitojnë bregdetin tonë, e ky është edhe njëherë shembull sesa të ndërlidhura janë fatet tona dhe sesa shumë mund të bëjmë së bashku”, u shpreh Rama.

Rama e mbylli fjalimin e tij, duke rikujtuar idenë për një treg të madh të përbashkët.

FOTO GALERI
7/27

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA