NBA, nis sezoni i ri

17/10/2017 16:42

Nis sonte në mbrëmje, sezoni i ri i kampionatit më spektakolar i basketbollit në botë, NBA.

Skuadra për t’u mundur padyshim është kampionia e Golden State Warriors që ka luksin të zbresë në parket 4 nga lojtarët më të spikatur, Stephen Curry, Kevin Durant, Klay Thompson e Draymond Green.

Skuadra e Warriors do të nisë mbrojtjen e titullit pikërisht me sfidën ndaj Houston Rockets që do të luhet në Oracle Arena në Oakland. Është e vështirë të thuash që skuadra kaliforniane nuk do të jetë favoritja kryesore për të fituar duke qenë se ajo arriti të mbajë 4 Fantastikët e saj të sezonit të kaluar.

Për më tepër kalifornianët kanë bërë edhe lëvizje të tjera duke sjellë në skuadër emra të tjerë si Casspi apo Nick Young që do të bëjnë të mundur aplikimin e rotacioneve në ndeshje të ndryshme.

Kundërshtari më i fortë i Golden State edhe për këtë sezon pritet të jetë pikërisht Cleveland, skuadër me të cilën Warriors është përballur vitet e fundit në finalen e madhe të NBA. Cleveland lejoi largimin e Irving, por Mbretit James i janë bashkuar Dwayne Wade dhe Derrick Rose.

Përsa u përket të ashtuquajturave skuadra ‘outsider’ në luftën për titutll, në Perëndim duhet treguar kujdes nga Oklahoma City Thunder dhe Houston që kanë ndërtuar ekipe sulmuese. Thunder është përforcuar me Paul George e Carmelo Anthony, ndërsa Rockets ka marre me Chris Paul nga LA Clippers.

Nuk duhet harruar as San Antonio Spurs e trajnerit Popovich dhe Kawhi Leonard. Në Lindje situata duket se është më e qartë me Boston Celtics që me prepotencë vendosi kandidaturën e tij në rolin e rivalit të Cavaliers. Bostoni ka marrë pikërisht Irving për të bërë përfundimisht hapin e madh ne NBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA