Dosja italiane, reagon Kryemadhi: Është vetëm maja e ajsbergut

17/10/2017 04:27

Pas publikimit të disa përgjimeve të dosjes “Habilaj” ka reaguar edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Me anë të një statusi në “Facebook”, Kryemadhi shkruan se ajo që denoncohet në media është vetëm maja e ajsbergut të krimit dhe trafiqeve të drejtuara nga Edi Rama.

“Sot është dita e së vërtetës për të gjithë ata që dyshuan qoftë dhe njëherë të vetme tek akuzat tona për lidhjet e drejtpërdrejta të qeverisë me krimin. Ajo që shtypi italian denoncoi sot është vetëm maja e ajsbergut të krimit dhe trafiqeve të drejtuara nga Edi Rama. Sepse është ai drejtuesi që mban lidhjet dhe fijet me krimin e organizuar. Është ai përgjegjësi kryesor për inkriminimin e policisë dhe politikës”, shkruan Kryemadhi.

Më tej, Kryemadhi i bën thirrje Prokurorisë të nisë urgjent hetimet për ish ministrin e brendshëm dhe lidhjet e tij me kriminalitetin.

“I bëj thirrje prokurorisë të nisë urgjent hetimet për ish ministrin e brendshëm dhe lidhjet e tij me kriminalitetin. Dhe të mos ulet në takime spontane me të kerkuarit e drejtësisë. Sikundër kam bindjen se Tahiri është thjesht i përdoruri i radhës nga Edi Rama. Që pasi i shfrytëzoi bashkëpunëtorët e tij për lidhjen dhe shfrytëzimin e bandave për të blerë votat dhe kërcënuar zgjedhësit e kundërshtarët e tij politikë, sot i flak tutje sepse nuk i duhen më”.

“Është momenti që ne të gjithë të reagojmë sa më fort kundër kësaj situate ku krimi ka mbërthyer fort qeverisjen. Sot është dita që të paktën si qytetarë të ngremë zërin kundër kësaj klike kriminale që po mban peng Shqipërinë. Ky është momenti i zërit të qytetarisë kundër krimit”, mbyllet statusi i kryetares së LSI.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA