Dosja “Habilaj në Top Story, Artan Hoxha: Asnjë veprim nga organet hetimore shqiptare

17/10/2017 21:30

Gazetari Artan Hoxha, duke folur për dosjen “Habilaj”, deklaroi nga studio e “Top Story” se është “skeptik me mënyrën si po zhvillohen ngjarjet”.

“Bëhet fjalë për një furtunë më tepër në aspektin mediatik dhe politik, por ende nuk kemi parë veprime konkrete nga organet e hetimit në Shqipëri. Sa kohë që Prokuroria e Përgjithshme apo ajo e Krimeve të Rënda nuk kanë nisur hetimet…”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, duhet të ishin marrë dosjet e hetimeve nga Katania që sot.

“Jam skeptik sepse çështja do të kalojë në sferën politike. Opozita ngre me të drejtë alarmin, por duhet t’i bëjnë presion Prokurorit të Përgjithshëm. Nëse nuk nis hetimet Prokuroria, asnjë zyrtar shqiptar nuk mund të dënohet”, shpjegoi Hoxha.

Basir Çollaku: Tahiri, i përfshirë në aferë

Ndërkohë, Basir Çollaku deklaroi në studion e “Top Story” se “nga faktet dhe denoncimet 3-vjeçare, zoti Tahiri del i përfshirë në këtë aferë”.

“Këta kushërinj janë nën suportin e Tahirit për t’u marrë me këto afera. Është një grup që është marrë edhe me heroinë e kokainë. Kishte akumuluar shuma të konsiderueshme parash dhe pushtet. Nuk më vjen mirë që vjen dosja nga Italia, kur në dijeninë time kjo dosje ka qenë edhe në Shqipëri”, tha Çollaku.

Ai shtoi se “krerët e policisë dhe të organizatave kriminale bëjnë takim mujor për të ndarë parcelat e skafet”.

“Ku janë drejtuesit e policisë së Fierit dhe Vlorës? Mosveprimet e tyre kanë bërë që të vijnë italianët e të na thonë që këtu ka ndodhur diçka”, u shpreh Çollaku.

Top Channel