Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkon arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke paralajmeruar publikimin e fakteve që vërtetojnë lidhjet e tij me kushëririn, Moisi Habilaj, që u kap të hënën në itali për trafik droge.
“Pyetja që sot shtroj në emër të opozitës dhe në emër të çdo shqiptari të djathtë apo të majtë, është se çfarë pret Edi Rama ti vërë prangat, ta arrestojë e ta ekstradojë, në mos ta gjykojë këtu në Shqipëri, Saimir Tahirin, si një ndër kapitenët kryesorë të trafikut të drogës në 4 vitet e kaluara? Natyrisht nuk pres përgjigje prej Edi Ramës.Edi Rama e ka mbrojtur Saimir Tahirin këto 4 vite edhe pse e ka ditur se, ai, është protektor dhe përfitues i drejtpërdrejtë i trafikut të drogës, përmes bandës Habilaj dhe bandave të tjera të krimit të organizuar.Edi Rama e ka bërë këtë me vetëdije të plotë, sepse paratë e drogës dhe muskuli kriminal i bandave, është përdorur nga Edi Rama bashkë me Saimir Tahirin gjatë zgjedhjeve të 2015-ës dhe në veçanti në zgjedhjet e 2017-ës”, thotë Basha.
Basha tha se shqiptarët kanë sot dy rrugë, “o të durojnë realitetin që po u imponohet, ose të ngrihen e të kërkojmë të drejtën legjitime për të mos u qeverisur as nga bandat, as nga ministrat, as nga Kryeministri i bërë njësh me ta”, sipas tij.
“Është ora e vendimeve të mëdha. Por sot, është dita që Saimir Tahiri të arrestohet dhe procesi gjyqësor ndaj tij të nisë pa vonesë. Faktet janë publike, provat janë në tavolinën e Edi Ramës dhe me siguri do të bëhen publike në orët apo ditët në vijim”, deklaroi kreu i PD.
Top Channel