Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh ne një deklaratë për mediat se “provat e hetimit tregojnë se narkotrafikantët kanë kontribuar miliona euro në fushatën elektorale të Edi Ramës”.
“Provat e hetimit tregojnë se grupi narkotrafikant, i drejtuar nga Moisi Habilaj, kushëri i Saimir Tahirit, i ka paguar shuma marramendëse në dorë Saimir Tahirit si dhe ka përdorur për trafik droge Audin e Saimir Tahirit. PD e ka denoncuar 1400 herë Tahirin për lidhjet e tij me trafikun e drogës. Sa herë dilnin në dritë fakte për lidhjet e Tahirit me bandat, Edi Rama e ka mbrojtur Tahirin dhe e ka quajtur bashkëpunëtorin më të ngushtë dhe ministrin më të suksesshëm. Sot, Edi Rama e shiti Saimir Tahirin vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij. Tahiri është një nga “peshqit e mëdhenj”. Gjithçka është bërë me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës për të përfituar paratë e Habilajve”, theksoi Basha.
Kreu i PD-së shtoi se këto janë “fakte tronditëse dhe prova që tregojnë skemën se si Edi Rama ka blerë votën dhe ka dhunuar zgjedhjet”.
“Me Edi Ramën në qeveri, qeveria do të vazhdojë të jetë karteli kryesor i krimit të organizuar dhe drogës në Shqipëri”, tha Basha, i cili e mbylli deklaratën e tij duke njoftuar se nesër do të mbahet një tryezë e spektrit opozitar ku, sipas tij, do të merren “vendime të mëdha”.
Top Channel