Pas miratimit në Kuvend me 116 vota, Komisioni i Posaçëm për Reformën zgjedhore me 18 anëtarë, është gati për të nisur punën.
Bashkëdrejtuesi i Komisionit, Bledar Çuci thotë se mazhoranca do të ulet në tryezë pa kushte dhe pa një draft të paracaktuar.
“Në komision nuk hyhet me ide fikse dhe axhendë fikse, aq më tepër kur ka të bëjë me cështje që ha diskutim, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë dhe në botë. Padiskutim që ne do ta shohim me shumë kujdes çështjen e numërimit apo votimit elektronik pasi dihet që për sa i përket komunikimit e transmetimit online të sigurisë që sjell ky transmetim online, tashmë dihet që janë terrene që nuk mund ti besojmë 100%, e vërtetuar kjo edhe në shtete që kanë infrastrukturë shumë më të zhvilluar për sa i përket mbrojtjes së të dhënave”, thotë Çuçi.
Megjithatë socialistët mbeten sërish besnikë në kërkesën për votën e emigrantëve, që e shohin si një detyrim ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë.
“Ne jemi për futjen e votimit të emigrantëve, pra futjen e emigrantëve në procesin e votimit dhe besoj se kemi alternativa që do ti propozojmë në komision dhe janë të arsyeshme. Pra nuk do bëjmë eksperimente. Të mos harrojmë që ne kemi një listë zgjedhore që i fut automatikisht të gjithë emigrantët, shtetas shqiptarë, në listë. Nga njëra anë i fusim automatikisht në listë, nga ana tjetër i mohojmë të drejtën për të votuar”
Sa i përket sistemit zgjedhor që do të adaptohet në zgjedhjet e ardhshme, Bledi Çuci thotë se me shumë gjasa kjo do të jetë cështja e fundit që komisioni do të vendosë, për tja lënë fillimisht debatin partive politike.
“Çështja e sistemit ndoshta është çështja që do hajë edhe pjesën më të madhe të debatit politik, ku besoj se do përfshihen të gjitha partitë, parlamentare ose joparlamentare. Nuk ka asnjë sistem perfekt, cdo gjë është për tu diskutuar, e rëndësishme është që tu japim shqiptarëve sistemin më të drejtë të momentit, që i përgjigjet edhe realitetit shqiptar. Nuk ka një formulë të gatshme që ta adoptojmë për shqipërinë”, deklaron ai.
Top Channel