Basha: Biznesi i vogël mos të paguajë TVSH

16/10/2017 13:35

Demokratët këmbëngulin se TVSH për biznesin e vogël do të rrisë cmimet dhe papunësinë dhe nga ana tjetër do të fuqizojë oligarkët.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, teksa tha se mirëpret një debat për këtë çështje, Lulzim Basha përmendi edhe një herë propozimin për biznesin e vogël.

“Biznesi i vogël të mos paguajë TVSH nën fashën 12 milionë lekë. Oligarkët fshihen në paradhomat e kryeministrit. Lufta kundër informalitetit nuk bëhet duke goditur biznesin e vogël. Futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH nuk do të formalizojë ekonominë. Futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH do rrisë çmimet dhe papunësinë. Skema e TVSH për biznesin e vogël do të fuqizojë oligarkët”, tha Basha.

Kryedemokrati vijoi me akuzat në adresë të Edi Ramës dhe lidhjet, sipas tij, të kryeministrit me krimin: “Beteja për shkëputjen e lidhjes krim-shtet do të vazhdojë. Rama është mbrojtës dhe promovues i krimit. Edi Rama mbron dhe promovon interesat e oligarkëve. Pas arrestimit të Durim Kecit, persona me imunitet i bënë presion policisë. Në dijeninë tonë është kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe një deputet i Partisë Socialiste”.

Sa i përket reformës zgjedhore, Lulzim Basha tha se gjithçka përmblidhet me një aksion të gjerë politik, përmes dy shtyllave kryesore: “Dekriminalizimi i zgjedhjeve dhe vota e emigrantëve. Bylykbashi ka paraqitur draft-strategjinë e PD, e cila përmblidhet me një aksion politik. Po mbushen 8 vjet që kur PD ka propozuar votën e emigrantëve”.

Top Channel