Gjysmëmaratona e Tiranës, Luiza Gega thyen rekordin kombëtar

15/10/2017 19:23

Gjysmëmaratona e Tiranës ka marrë udhë në edicionin e saj të dytë, që ndryshe nga e para është e një niveli europian dhe botëror.

“Gjysmëmaratona e këtij viti është regjistruar këtë vit zyrtarisht në Federatën Botërore. Uroj që në sezonin tjetër, jo 2.500, por të ketë rreth 5.000 garues. Më vjen shumë mirë që Tiranës i është kthyer dëshira për të vrapuar dhe për të bërë sport”, tha Gjergj Ruli, president i Federatës së Atletikës.

Por, në një garë të tillë zyrtare, interesi është shumë më i madh për sportistët profesionistë të maratonave. Për trajnerin Taulant Stërmasi, gjysmëmaratona e Tiranës tashmë do të shndërrohet në një vend ku thyhen rekorde.

“Zhvillimi i kësaj gare është shumë i rëndësishëm për pjesëmarrjen në këtë aktivitet të sportistëve të nivelit botëror. Nisur nga kushtet klimatike, por edhe nga altituda e Tiranës, shumë shpejt kjo maratonë do të shndërrohet në një vend ku do të thyhen rekorde”, tha Taulant Stërmasi, trajner atletike.

Ndërkohë, mes fituesve, e para për femra në Kategorinë e Gjysmëmaratonës, pra 21 km, ishte kampionia e atletikës shqiptare, Luiza Gega, e cila përmirësoi rekordin kombëtar këtë vit me 9 minuta.

“Jam shumë e kënaqur me rezultatin e arritur. Në fakt mendoja se do ta thyeja me rreth 6 minuta rekordin, por bëra edhe më mirë dhe theva me 9 minuta rekordin kombëtar. Më vjen shumë mirë për këtë gjë”, tha Luiza Gega, fituesja e maratonës për femra.

Top Channel