Shqiptarët “tmerri” i Dybala, Lazio mposht bardhezinjtë

14/10/2017 12:52

Juventusi ka pësuar humbjen e parë në kampionatin italian dhe protagonist i lacialëve në këtë fitore të rëndësishme 2-1 bëhet portieri shqiptar, Strakosha, i cili ashtu si Berisha një javë më parë, edhe ai ndal Dybala-n nga pika e penalltisë në kohën shtesë.

Bardhezinjtë e nisën mjaft mirë ndeshjen duke shënuar në minutën e 24 me Douglas Costa, ndërsa patën edhe disa raste të tjera të mira në pjesën e parë, por Strakosha e mbajti në lojë Lazion. Për t’u veçuar është pritja e shkëlqyer e realizuar nga portieri shqiptar e goditjes së Khedira-s.

Ndërkohë, pjesa e dytë ishte një tjetër tablo, që këtë herë i takoi Lazio-s dhe sulmuesit të saj Ciro Immobile, që përmbysën gjithçka.

Vetëm dy minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Immobile barazon shifrat. Ende pa e marrë veten nga goli i parë, Buffon shkakton një 11-metërsh, duke ndalur në mënyrë të parregullt brenda zonës Immobilen. Portieri i Juventusit ndëshkohet me të verdhë, ndërsa sulmuesi bardhekaltër e dërgoi më pas për të dytën herë topin në rrjetë, duke realizuar përmbysjen e madhe.

Në fundin e kohës shtesë prej 4 minutash, arbitri akordon një 11-metërsh, pasi përdori sistemin VAR për të rishikuar një ndërhyrje brenda zonës.

Dybala merr përsipër të ekzekutojë penalltinë, por të njëjtën gjë që i bëri Berisha në ndeshjen ndaj Atalanta-s e bën edhe Strakosha duke i pritur argjentinasit penalltinë e dytë në dy ndeshjet e fundit dhe lacialët shpërthejnë në festën mëse legjitime.

FOTO GALERI
2/16

Top Channel