Në burg “miku i politikanëve”. Durim Keçi kërkohet në Itali

14/10/2017 04:46

Durim Keçi, i arrestuar për llogari të drejtësisë italiane si i dënuar është lënë në burg nga Gjykata e Durrësit.

Seanca për masën e ndalimit është bërë në masa të larta sigurie. Gjykata e vlerësoi të drejtë ndalimin e 42-vjeçarit nga policia, duke i hapur rrugën procedurës për ekstradimin e tij në Itali.

Përfaqësuesi i akuzës kërkoi arrest me burg për Keçin duke argumentuar se ai është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore për shkak të veprave penale të kryera dhe rreziku i largimit të tij për t’i shpëtuar vuajtjes së dënimit është i lartë.

Ndërkohë, mbrojtja e të arrestuarit deklaroi se Durim Keçi është arrestuar dhe dënuar në Itali në kuadër të procesit “Kanun”, një operacion të karabinierisë italiane, që avokati e vlerësoi si diskriminues e që përfshiu pa të drejtë 135 shqiptarë në zonën e Bergamos, bazuar në denoncimin e dy vajzave nga Katundi i Ri.

Durim Keçi u ndalua në Durrës pak ditë më parë, ndërsa u bë shumë i njohur gjatë 13 orëve debat në Kuvend. Foto të tij bashkë me deputetë socialistë u treguan nga kryetari demokrat, Lulzim Basha gjatë akuzave se mazhoranca mbante afër kriminelë.

Kryeministri Rama tha se i kishin dërguar foto të Durim Keçit që shfaqej te çadra e protestës së demokratëve.

Durim Keçi jetonte në Shqipëri, ndërsa rezultoi se në vitin 2014 ishte dënuar me 9 vjet e 7 muaj burg nga Gjykata e Xhenovas për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni, krime me armë kunder personit, pjesëmarrje në organizata kriminale dhe shkatërrim prone.

Mediat italiane thonë se Keçi kishte kërcënuar edhe prokurorin në sallen e gjyqit dhe për këtë veprim ndaj tij u ngrit edhe akuza e kërcënimit dhe nëpërkëmbjes së autoriteteve gjyqësore.

Top Channel