Montella për derbin: Diferenca prej 7 pikësh jo reale

14/10/2017 03:33

Dy humbje radhazi kundër Sampdorias dhe Romës, një lumë polemikash dhe vendi i fundit që të çon në Ligën e Kampioneve që largohet nga java në javë.

Për trajnerin Vincenzo Montella, derbi i së dielës ka marrë një rëndësi edhe më të madhe seç pritej, pasi luan vendin e tij dhe objektivat sezonalë. Pankina e ish-sulmuesit të njohur do të dridhej shumë në rast humbjeje me Interin në San Siro.

“Jemi në një gjendje të mirë në derbi dhe entuziazmi është në maksimum. Diferenca prej 7 piëksh në renditje nuk është reale, si për vlerat e treguara në fushë ashtu edhe në perspektivë. Kam përjetuar derbi në të gjithë Italinë, por ky është vërtet special. Është një presion i pëlqyeshëm për mua dhe më jep stimul”, tha trajneri i Milanit që renditi edhe pikat e forta të kundërshtarit.

“Inter ka një skuadër të ekuilibruar dhe me ekspertë në fushë. Di sesi ta shtojë dhe ta ulë ritmin kur duhet dhe në sulm ka kualitet. Icardi ka shpejtësi dhe duhet të evitojmë që të furnizohet me topa”, tha Montella.

Në rast të një humbjeje eventuale, Milan do ta shihte veten 10 pikë më pas se rivalët e qytetit dhe plotësisht jashtë garës për një vend në Ligën e Kampioneve.

Top Channel