Të dielën Inter-Milan, Spalletti e Montella bëhen gati

13/10/2017 00:00

Në mbrëmjen e së dielës në San Siro do të luhet Derbi i “Madonninës” mes Interit e Milanit, dy skuadra që po jetojnë momente krejtësisht të kundërta.

Kuqezinjtë vijnë në këtë përballje pas 2 humbjeve radhazi, ndërsa zikaltërit janë plotësisht në garë për vendet e para në kampionat. Tashmë trajnerët e skuadrave milaneze Spalletti e Montella po punojnë për të zbritur në fushë formacionet më të mira të mundshme.

Kështu te Interi, Cancelo kthehet në skuadër, por Spalleti do t’i besojë akoma D’Ambrosios në krahun e djathtë me Skriniar e Mirandën në qendër të mbrojtjes, ndërsa në të djathtë Dalbert është në garë me Nagatomon. Në mesfushë, Vecino duket se është në avantazh ndaj Gagliardinit për një vend përkrah Valeros, ndërsa Joao Mario do të marrë vendin e Brozovic.

Ndërsa te Milani, Montella do të duhet të bëjë pa Callhanoglu të skualifikuar. në vendin e tij pritet të jetë Bonaventura, ndërkohë që konfirmohet prania e Borinit si titullar.

Përsa i përket sulmit, Kalinic nuk është ende në formën e tij më të mirë dhe mund të mos jetë i gatshëm për derbin me Interin. Kështu që i krijohen hapësira Andre Silvës që pritet të jetë përkrah Sussos. Reparti i mbrojtjes do të përbëhet nga treshja Musacchio, Bonucci e Romagnoli.

Top Channel