Projektligji për pakicat, LSI: Mos e votoni; Bushati: Ministrat tuaj e firmosën

13/10/2017 09:10

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi nga salla e Kuvendit se projektligji për mbrojtjen e pakicave është miratuar nga ata që sot e kritikojnë.

Duke iu referuar kryetarit të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, i cili tha më herët se “ligji për pakicat bie ndesh me interesat kombëtare”, Bushati theksoi se Vasili, kur ishte ministër Drejtësie, ka firmosur këtë ligj, ndërsa sot kërkon që të luajë me këtë çështje.

Bushati tha se “Konventa Kuadër e Këshillit të Europës përcakton pakicën kombëtare. Zërat kritikë nuk citojnë asnjë nen të kësaj konvente që preket apo anashkalohet nga ky ligj”.

“Listimi i pakicave në këtë ligj nuk do të thotë se të gjitha kanë të njëjtat karakteristika dhe të njëjtat të drejta. Përkundrazi, do të thotë që shteti, duke qenë se ka aderuar në Konventën Kuadër, nuk ka deklaruar njohje formale për asnjë prej pakicave, por fotografon realitetin dhe praktikën e akumuluar ndër vite. Ish-ministrat që kanë qenë në kabinet, kanë firmosur më parë, ndërsa sot kërkojnë që të luajnë me këtë çështje”, deklaroi Bushati.

Petrit Vasili nënvizoi se “projektligji nuk ka koherencë me traditën ligjbërëse të Shqipërisë dhe standardet bashkëkohore për mbrojtjen e minoriteteve”.

“Ky është konformizëm servil, ka deformime të mëdha. Duket si projekt politik. Projektligji duhet përpunuar më thellë që të respektojë traditën shqiptare. Është provokim mbi dimensionet e bashkëjetesës dhe stis realitete të paqena”, tha Vasili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA