
“Harvey Weinstein është vetëm maja e ajsbergut”, deklaroi aktorja e njohur Emma Thompson, zëri më i fundit i ngritur në skandalin që po trondit nga themelet “Hollywood”-in. “Ka edhe shumë, shumë të tjerë si ai”, thotë fituesja e çmimit “Oscar”, që e përshkroi 65-vjeçarin si një grabitqar të vërtetë seksual.
“Nuk i dija këto gjëra, por nuk më çudisin aspak. Ato janë një sëmundje endemike për sistemin. Ky njeri është në majën e një sistemi të tërë ngacmimesh, bullizmi dhe ndërhyrjesh. Mamaja ime më pyeste gjithmonë ‘A po të ngacmojnë?’, sepse kjo ka qenë përherë pjesë e botës sonë, botës së grave, e duhet të fillojmë të flasim seriozisht për këtë krizë të maskilizmit ekstrem”, tha Emma Thompson, aktore.
Aktorja Rose McGowan e akuzoi publikisht manjatin e turpëruar për përdhunim, e përmes “Twitter”-it, ajo la të kuptohej se shefi i studios “Amazon”, Roy Price e pati injoruar kur ishte përpjekur të tregonte se çfarë i kishte ndodhur.
“Amazon” e pezulloi përkohësisht drejtuesin, e akuzuar edhe vet për ngacmime seksuale ndaj një producenteje femër. Weinstein mohon çdo gabim, ndërsa Price, për momentin hesht.
Skandali po merr përmasa të reja çdo ditë e më shumë.
“Twitter”-i ndërkohë ngjalli polemika të mëdha për pezullimin e përkohshëm të profilit të McGowan, me arsyetimin se një postim kishte përcjellë edhe një numër privat telefoni, gjë që bie ndesh me politikat e platformës.
Shumë shpejt, gra nga e gjithë bota iu bashkuan fushatës në mbrojtje të saj, e nën hashtagun #WomenBoycottTwitter bëjnë thirrje për bojkotimin e “Twitter”-it.
Vetëm një muaj përpara debutimit të “Ligës së drejtësisë”, përdorues të ndryshëm bëjnë thirrje në rrjetin social që Ben Affleck të mos e interpretojë më Batmanin. Arsyet janë lidhjet e tij me Weinstein, por edhe pretendimet se, edhe vet aktori i pashëm ka pjesën e tij të ngacmimeve.
Ben kërkoi ndjesë për faktin që në vitin 2003 i ka prekur gjoksin një kolegeje, Hilarie Burton, një incident ky i regjistruar në kamera, e që nuk është episodi i vetëm për të cilin akuzohet. Edhe artisja e “make up”-it, Annamarie Tendler foli për sjelljen e pahijshme të aktorit ndaj saj, në festën e “Golden Globe” të vitit 2014.
Matt Damon dhe Russell Crowe thuhet gjithashtu të kenë mbuluar bëmat e Weinstein, ndërsa Brad Pitt kritikohet që nuk e denoncoi veprimin e tij, kur mori vesh se i kishte ngacmuar të fejuarën e atëhershme, Guineth Paltrow.
Top Channel