Liga e Kombeve, aktiviteti i ri mes Botërorit 2018 dhe Europianit 2020

13/10/2017 00:00

UEFA ka përcaktuar formatin e Ligës së Kombeve, që do të startojë në shtator të vitit 2018. Të 55 përfaqësueset pjesëmarrëse janë ndarë në 4 divizione: A, B, C dhe D.

Në divizionin A janë 12 skuadra, të cilat do të luftojnë edhe për fitoren e divizionit, ashtu si në çdo divizion tjetër, derisa të mbërrijnë në finalen e këtij aktiviteti, që do të jetë në qershor të vitit 2019-të.

Ashtu si divizioni A, edhe B-ja do të ketë 4 grupe me nga 3 skuadra. Divizioni C, ku është edhe Shqipëria ka 15 skuadra; 3 grupe me 4 ekipe dhe një grup me 3 skuadra.

Ndërsa divizioni D, ku është Kosova, ka 16 ekipe të ndara në 4 grupe. Nga secili divizion do të dalin 4 skuadra që do të jenë fituese të grupeve, për t’u përballur me njëra-tjetrën në një “play off”, nga përfundimi i të cilit dalin edhe 4 skuadrat që kualifikohen automatikisht për në “Euro 2020”.

Liga e Kombeve ka edhe një mekanizëm, atë të ngjitjes një divizion më sipër dhe të rënies një divizion më poshtë. Kombëtaret fituese të çdo grupi do të ngjiten, ndërsa ato që do të renditen të fundit do të bien.

Përsa u përket kualifikueseve, shorti për to do të hidhet në përfundim të Ligës së Kombeve. 20 skuadrave që do të kualifikohen nga vendi i parë dhe i dytë i secilit grup të kualifikueseve të Europianit 2020, do t’i bashkohen për fazën finale edhe 4 skuadrat e dala nga “play off”-i i Ligës së Kombeve.

Ndeshjet e kualifikueseve të Europianit do të nisin në mars të vitit 2019 dhe do të zgjasin deri në nëntor të po atij viti.

Top Channel