Absurdi në Teatrin Kombëtar

13/10/2017 00:00

Naun Shundi sjell të parën shfaqe të zhanrit absurd prej shumë kohësh në teatër. Ai është autori dhe regjisori i premierës “Misto”, që vjen që prej 13 tetorit në Teatrin Kombëtar.

Ata janë tre personazhe që s’dinë ku janë, ku do shkojnë e çfarë po presin, një fije ngjasimi me “Duke pritur Godonë”, e që ndërthur tragjizmin me të qeshurën e menduar.

“Nuk e di nëse ishte ky koncepti apo mu duk mua që gjithë kjo e keqe na vjen për shkak të komunizmit? Jo. Na vjen për shkak të autoritarizmit. Na vjen për shkak të dëshirës njerëzore për të pasur gjithpushtet, prandaj duke u nisur nga ky fakt, unë shpresoj të jap një këmbanë alarmi. Është fatkeqësi e madhe që bota ka akoma sot diktatura funksionale”, thotë autori dhe regjisori, Naun Shundi.

Nën interpretimin kryesor të Bujar Asqeriut, Helidon Finos e Adelina Muçës, autori shprehet së pavarësisht vështirësisë vetëm nëpërmjet absurdit mund të shprehte mesazhet e tij.

“Tentova sepse m’u duk gjuha më e përshtatshme për të folur për këtë që dua të them se sa e suksesshme është e vendosin ata që do e shikojnë”, shton ai.

Përreth dy orë publiku do të endet mes të qarash dhe të qeshurash, me ëndërrat e bukura dhe pritjet pa fund, me çdo shpirt që kërkon të jetë i lirë.

“Për mua është shumë e rëndësishme që publiku të mos mërzitet e të mos shikojë celularë”, thotë Shundi.

Top Channel