Rrëfehet Mirabelli: Na pëlqen Montella, Belotti është milanist

12/10/2017 00:00

Tre ditë para derbit të Madonninës, Massimiliano Mirabelli është rrëfyer mbi gjithçka ndodh në shtëpinë e Milanit, në një intervistë për ‘Radio Rossonera’. Ai ka treguar prapaskenat e merkatos verore, marrëdhëniet me trajnerin Montella, por edhe planet e skuadrës kuqezi. Drejtuesi i Milanit, nuk la pa komentuar edhe zërat për një interest të kuqezinjve, ndaj trajnerit aktual të Chelsea, Antonio Conte.

Conte: “Nuk kemi asnjë interes. E vërteta është se na pëlqen shumë Montella dhe mënyra se si ai punon. Kemi besim se do të dijë të ndërtojë një skuadër të aftë të përballet me këdo, ndaj hedh poshtë zërat që flasin për rrezik në pankinën e tij, në rast humbjeje në derbi”.

Belotti: “Të gjithë e dinë që kemi bërë maksimumin për ta sjellë në Milano, por nuk ia arritëm. Ai është një milanist dhe uroj që t’i bëhet realitet ëndrra që  të luajë me fanellën e Milanit”.

Donnarumma: “Rinovimi me të ka qenë një nga vështirësitë më të mëdha të kësaj merkatoje verore. Gjithsesi, më duhet të pranoj se Gigio nuk më ka thënë asnjëherë, që dëshiron të largohet nga Milani, ndaj jam i lumtur që gjetëm akordin dhe vazhdojmë ta kemi mes shtyllave”.

Bonucci: “Transferimi i tij nuk ka qenë aspak i planifikuar sepse nuk e imagjinoja asnjëherë se Juventus do të pranonte të privohej nga një futbollist i tij. Kur menaxheri Lucci më foli për mundësinë e transferimit të Bonuccit, kujtova se po tallej, por pasi fola me vetë mbrojtësin, kuptova dëshirën e tij për t’iu bashkuar projektit tonë dhe i thashë Fassones ‘O e mbyllim për 48 orë, ose e lëmë fare’ dhe kështu bëmë”.

Merkato: Ka qenë një merkato shumë intensive, sepse donim të jepnim sinjalin e ringritjes së menjëherëshme. E dinim që do të ishte e vështirë, por tani që ka përfunduar gjithçka, më duhet të pranoj se kemi bërë një punë të mirë dhe shumë shpejt do të shohim edhe rezultatet”.

Top Channel