Vrasja e policit në Lazarat, dëshmojnë kolegët

11/10/2017 00:00

“Na njoftuan në radio, ‘kthehuni se ka të plagosur’. Kur mbërritëm i gjetëm shokët të shtrirë në tokë. I morëm me autoblinda dhe i çuam në spital”.

Ky është rrëfimi i oficerit të policisë Perlat Shpani, i cili qershorin e 2015-së gjendej me shërbim në Lazarat.

“Me një makinë të blinduar ne po futeshim në fshat dhe ndodheshim gati 500 metra larg makinës së dytë që u sulmua”, kujtoi oficeri i policisë.

Për shkak se i përket repartit special RENEA, dëshmitari u dëgjua nga gjykata në një seancë me dyer të mbyllura, ashtu sikurse edhe shoku i tij Jetimir Isaj. Oficeri Isaj kujtoi se ishte ulur pranë dëshmorit Ibrahim Basha.

“Befas filluan të shtënat, nuk kuptova se nga po na qëllonin. Nuk shihnim asgjë. Një moment pash Ibrahimin që u rrëzua dhe pastaj kuptova se isha plagosur edhe unë”, tha Isaj.

Të dy efektivët ishin dëshmitarët e fundit të kërkuar nga akuza, ndërkohë që më herët kanë shpjeguar operacionin në Lazarat edhe 5 oficerë të tjerë të RENEA-s, të ciëet humbën në këtë fshat oficerin Ibrahim Basha.

Prokuroria thotë se 11 të rinj nga Lazarati u organizuan për të marrë nën kontroll fshatin, me qëllim që pasi të largonin policinë të mundësonin kultivimin e hashashit.

Top Channel