Vjen Laçi te…Daja, trajneri: Duam tri pikët

11/10/2017 00:00

Skënderbeun dhe Laçin e ndajnë 4 pikë në renditjen e Kategorisë Superiore, por në kampin korçar shpresojnë që kjo e enjte do të shtojë hendekun.

Trajneri Ilir Daja vlerësoi kurbinasit, por kërkoi nga skuadra e tij, të njëjtin përqëndrim si në 4 javët e para të sezonit.

“Duhet të kapim ritmin e këtyre katër javëve të para të kampionatit, ku kemi qene mirë, qoftë në performancë, qoftë në realizim sepse përveç transfertës me Kamzën, me tre rivalët e tjerë kemi shënuar dy gola dhe kemi marrë vetëm një gol. Laçi ka treguar që me ekipe të forta di të bëjë mirë” , shprehet trajneri i korçarëve.

Për trajnerin Daja shumica e pikëve vjen ndaj skuadrave që nuk janë rivale për titullin dhe këtu nuk futen llogaritë për kalendarin e ngjeshur mes futbollit shqiptar dhe Europës.

“Dy të tretat e pikëve merren me ekipet që në thonjëza nuk quhen rivalë, por që kanë objektiva të tjera. Kështu që, vlera e fitores me nesër është njësoj si me Kukësin, ose Partizanin sepse tre pikët janë për çdo fitore”, shtoi Daja.

Skënderbeu ka shansin të shtojë diferencën në krye, nëse pretendentë e tjerë që përballen direkt do të frenohen apo do të humbin pikë në sfidat e ashtuquajtura të lehta.

Top Channel