Top Story, fenomeni “Ndocaj” në Kuvend

11/10/2017 00:00

Duke komentuar në Top Story përzgjedhjen e shqiptarëve ditën e votimeve, sociologu Ergys Mërtiri tha se vetë sistemi nuk garanton gjithmonë më të mirë.

Sipas tij, as votuesit nuk zgjedhin gjithmonë më të mirën, por në vendin tonë, thotë Mërtiri, kjo tejkalohet dhe këtu renditi dy arsye.

“Vetë populli nuk zgjedh gjithmonë më të mirën, por këtu e tejkalon këtë për faktin që populli nuk është shumë i pjekur dhe politika është shumë e vrazhdë. Vetë politikanët këtu zgjedhin të paaftët, sepse ata dinë të duartrokasin. Një nga arsyet se përse liderët politikë këtu nuk zgjedhin njerëz me kontribute në politikë dhe shoqëri është se këtu e ngrenë politikën në bazë të karizmit. Duan të adhurohen”, deklaroi ai.

Agron Gjekmarkja e kundërshtoi këtë. Sipas tij i gjithë faji bie mbi politikën.

“Shqiptari nuk është se nuk i do intelektualët dhe do budallenjtë, por të tilla lista u kanë paraqitur partitë politike dhe ata kanë bërë zgjedhjen që kanë bërë”, u shpreh ai.

Eduard Zaloshnja u shpreh se me ndryshimet e sistemit në vitin 2008, udhëheqësit politikë kërkonin shfrytëzimin e prirjes së qytetarëve për të votuar me bazë emocionale.

Top Channel