Teatër, drama amerikane “Euridita” në Piramidë

11/10/2017 00:00

“Euridita”, një vepër që i përket dramaturgjisë bashkëkohore amerikane, çel sezonin artistik në Teatrin e Metropolit. Jonida Beqo, drejtuesja e këtij institucioni ka zgjedhur që për këtë vepër të zhvendosë skenën te Piramida, duke marrë përsipër tri role në të: regjinë, kostumet dhe aktrimin në rolin e vdekjes.

“Zgjodha të bëj regjinë sepse është një vepër që më ngacmoi. I shikoj gjërat shumë vizualisht si regjisore, kështu që ishte përkthim shumë i kollajtë në pjesën e kostumografisë. Vdekjen e kam luajtur më tepër për çështje kostosh”, tha Jonida Beqo, regjisore.

Një peshë shumë të rëndësishme në shfaqje, në rolin e babit të Euriditës, e mban aktori Niko Kanxheri.

“Autorja sikur thotë që të gjitha dashuritë janë të përkohshme, përderisa ekziston vdekja”, tha Niko Kanxheri.

Së bashku me rikthimin e tij në skenë, ai jep edhe arsyet e mungesës, e cila nuk ka qenë zgjedhje e tij.

“Sigurisht që çdo aktor bën një zgjedhje. Por në këtë periudhë pushimi nuk kam pasur oferta. S’më kanë ardhur oferta për teatër”, tha më tej aktori Kanxheri.

“Euridita”, nga Sara Ruhl, sjell një rikonceptim të mitit të Orfeut, treguar nga këndvështrimi i gruas së tij. Por marrëdhënia e tyre në skenë lë vend për t’u pjekur.

“Marrëdhënia me Orfeun ka sfidën e vet, sepse është 5 minuta marrëdhënia që ne kemi bashkë, e pastaj të gjithë pjesën tjetër e kemi në distancë”, tha Armela Demaj, aktore.

Publiku e gjen “Euriditën”, që prej 12 tetorit në Piramidë.

Top Channel